Kaos i përgjithshëm në Francë: Burgjet sulmohen me armë automatike, makina të djegura

Disa burgje në Francë janë goditur gjatë natës nga një valë sulmesh, ka deklaruar ministri i drejtësisë Gérald Darmanin.

Ministri tha se burgjet janë përballur me “përpjekje për frikësim”, që variojnë nga djegia e automjeteve deri te të shtënat me armë automatike.

Sipas gazetës Le Parisien, makina janë djegur në disa parkingje të burgjeve, ndërsa burgu në Toulon ka qenë shënjestër e të shtënave me armë automatike.

Gazeta përmend gjashtë objekte që kanë qenë në shënjestër: në Toulon, Aix-en-Provence dhe Marseille, Valence dhe Nîmes, Luynes, Villepinte dhe Nanterre.

Në një postim në Twitter, Darmanin tha se po udhëton drejt Toulonit për të ofruar mbështetje për oficerët e goditur.

Pa i atribuar drejtpërdrejt përgjegjësinë për sulmet, ai deklaroi se qeveria franceze “po përballet me problemin e trafikut të drogës” dhe po ndërmerr masa që “do të trondisin thellë” rrjetet kriminale.

Sindikata e rojeve të burgjeve, FO Justice, shprehu “shqetësimin dhe zemërimin më të thellë” pas këtyre sulmeve “jashtëzakonisht serioze” gjatë natës.

Sindikata publikoi përditësime në rrjetin X, duke përfshirë edhe imazhe të vrimave nga plumbat në dritaret e burgut në Toulon dhe makina të djegura në parkingjet e burgjeve të tjera.

Është bërë thirrje për veprim urgjent nga ana e qeverisë për të mbrojtur personelin e burgjeve.

Kategoritë
BotaLajme