Fjalimi që mbajti kryeministri hungarez Viktor Orban në Parlamentin Evropian shkaktoi një sërë reagimesh në këtë institucion, dhe duket se më të zëshëm në kritikën e politikave të tij ishin përfaqësuesit e partive të majta.
Pasi Orban përfundoi fjalimin e tij, një pjesë e sallës ku ndodheshin përfaqësuesit e partive që ndajnë politika të ngjashme me Fidesz-in hungarez duartrokitën kryeministrin hungarez.
Nga ana tjetër, klubi i partive të majta në atë moment vendosi të protestonte duke kënduar himnin antifashist “Bella Ciao.”
Në ato momente, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duhej të fillonte fjalimin e saj, por u pengua nga kënga, çka e detyroi presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, të reagojë.
“Kjo nuk është Eurovizioni,” tha Metsola, por deputetët e majtë nuk hoqën dorë nga kënga.
Kujtojmë se Orban, në fjalimin e tij, theksoi se Evropa ndodhet në krizë dhe se Brukseli urgjentisht duhet të ndryshojë politikat.
“Politika e zgjerimit është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e programit hungarez. Sipas Orbanit, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje kyçe. Duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë Serbisë, pasi Ballkani nuk mund të stabilizohet pa përfshirjen e saj. Disa vende plotësojnë kushtet e nevojshme për anëtarësim, por mungon veprimi politik. BE-ja i ka dhënë një premtim këtyre vendeve para 20 vitesh. Është koha që ta përmbushë,” tha kryeministri hungarez në fjalimin e tij.