Kapen 2 terroriste të YPG/PKK-së që planifikonin sulm vetëvrasës në veri të Sirisë

Gratë terroriste u kapën në rrethin Afrin, ndërsa u sekuestruan një jelek vetëvrasës dhe eksplozivë, tha Ministria e Brendshme turke

Dy gra të lidhura me grupin terrorist YPG/PKK u arrestuan në veri të Sirisë teksa po planifikonin një sulm vetëvrasës, njoftoi sot Ministria e Brendshme turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, ministria tha se terroristët u arrestuan pasi njësitë e sigurisë vepruan pas një informacioni se dy gra të huaja do të niseshin nga Munbixhi dhe do të mbërrinin në Afrin nëpërmjet Azazit për të kryer një sulm vetëvrasës.

Gjatë kontrollit, u sekuestrua një jelek vetëvrasës me një telekomandë, 5,6 kilogramë eksploziv, si dhe katër sisteme ndezëse detonatore elektrike.

Kanë kaluar katër vjet që kur rrethi i Afrinit u çlirua nga Forcat e Armatosura Turke dhe grupi i mbështetur nga Turqia Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) nga organizata terroriste YPG/PKK.

Afrini u pastrua kryesisht nga terroristët e YPG/PKK-së më 18 mars 2018 përmes ofensivës antiterroriste të Turqisë Operacioni “Dega e Ullirit”.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Kategoritë
BotaLajme