Kapet spiuni i kamufluar rus, synonte të infiltrohej në Gjykatën e Hagës

Autoritetet holandeze kanë njoftuar se ia kanë refuzuar hyrjen një spiuni rus, i kamufluar si shtetas brazilian për t’u infiltruar brenda Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë, ku dyshohet se synonte të zbulojë informacione që lidhen me hetimet e gjykatës ndaj krimeve ruse.

Sipas Holandës, spiuni rus është dërguar në Brazil që në fluturimin e parë. Autoritetet kanë sqaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë muajit prill, transmeton Gazeta Express.

Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës që në Holandë njihet me akronimin AIVD, ka publikuar detajet e pazakonta nëpërmjet një komunikate për media. Washington Post ka shkruar se komunikata më shumë ishte reminishencë e tregimeve klasike me spiunë se sa në një komunikatë zyrtare.

Sipas AIVD, 33-vjeçari me emrin Viktor Muller Ferreira duke pretenduar të jetë një shtetas brazilian, kishte fluturuar nga Brazili drejt Holandës për të filluar një praktikë profesionale në Gjykatën e Hagës.

Mirëpo, emri i tij i vërtetë doli të ishte Vladimirovich Cherkasov. Cherkasov ishte një 36-vjeçar që punonte për shërbimet inteligjente ruse.

Ai është klasifikuar si njeri me rrezikshmëri të lartë nga Holanda dhe me këtë arsyetim është dëbuar drejt vendit të ardhur.

Kategoritë
BotaLajme