Kapiteni i Arsenalit Aubameyang mungon në formacion për “shkelje disiplinore”

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, tha se kapiteni Pierre-Emerick Aubameyang është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e Premierligës kundër Southampton-it për shkak të një “shkeljeje disiplinore”

Kapiteni i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, nuk është përfshirë në formacion në ndeshjen e Premierligës kundër Southampton-it për shkak të një “shkeljeje disiplinore”, tha menaxheri Mikel Arteta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aubameyang u la në pankinë për ndeshjen e së hënës kundër Evertonit pas një serie paraqitjesh të dobëta, por nuk ishte as ndër zëvendësuesit për ndeshjen e Southampton-it në Emirates.

Në një intervistë para ndeshjes, Arteta tha se vendimi për të lënë jashtë sulmuesin ishte “për fat të keq për shkak të një shkeljeje disiplinore”.

“Mendoj se kemi qenë shumë konsekuentë, kemi disa gjëra të panegociueshme në skuadër që i kemi vendosur vetes si klub dhe ai nuk është i përfshirë sot”, shtoi Arteta.

Aubameyang ka vetëm katër gola në 14 ndeshje në Premierligës këtë sezon, pasi nënshkroi vazhdimin trevjeçar të kontratës vitin e kaluar që e bëri atë lojtarin më të paguar të skuadrës.

Kategoritë
LajmeSport