Kardiologët amerikanë kanë publikuar një ndryshim në përkufizimin e hipertensionit dhe besojnë se ai fillon kur presioni i gjakut arrin 130/80, ndërsa më parë ishte 140/90.
“Presioni i lartë i gjakut përkufizohet si një presion sistolik prej 130 milimetra merkur (mm Hg) dhe një presion diastolik prej 80 mm Hg”, thuhet në udhëzimet e reja në revistën Hypertension të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë.
Ky udhëzim u prezantua këtë javë në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Karidologjisë në Anaheim, Kaliforni.
Është rishikimi i parë i udhëzimeve për hipertensionin që nga viti 2003.
Përkufizimi i ri do të thotë se 46% e të rriturve amerikanë kanë presion të lartë të gjakut, krahasuar me 32% më parë.
Pas pirjes së duhanit, hipertensioni është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Por një presion i gjakut 130/80 nuk do të thotë domosdoshmërisht që këta njerëz duhet të marrin mjekim, tha Dr. Paul Welton, një profesor i epidemiologjisë në Shkollën Johns Hopkins të Higjienës dhe Mbrojtjes së Shëndetit në Baltimore.
“Është si një semafor i verdhë që thotë se duhet të ulësh presionin e gjakut me ndryshime në stilin e jetës, kryesisht pa mjekim”, tha ai.
Këto janë reduktimi i peshës, më shumë aktivitet fizik, ushqimi më i shëndetshëm dhe shmangia e kripës, alkoolit dhe stresit.
Udhëzimet e reja eliminuan kategorinë e “para hipertensionit”, e cila i referohej një presioni sistolik nga 120 në 139 dhe një presioni diastolik midis 80 dhe 89.