Katar 2022: Presidenti i FIFA-s, Infantino, akuzon Perëndimin për “hipokrizi”

I pyetur në lidhje me ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike në stadiume dhe rreth tyre, Infantino deklaroi: “Nëse ky është problemi ynë më i madh me Kupën e Botës, unë menjëherë do të jap dorëheqjen”

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, akuzoi Perëndimin për “hipokrizi” përballë kritikave të ashpra ndaj Katarit, organizatorit të Kupës së Botës 2022, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë shtypi në qendrën mediatike në Doha, Infantino tha se Katari do të vendosë nënshkrimin e tij në organizimin më të mirë në historinë e turneut.

Duke iu përgjigjur ashpër kritikave se vendi pritës ka shpërfillur të drejtat e njeriut gjatë përgatitjeve të Kupës së Botës, Infantino tha: “Unë jam evropian. Ne duhet të kërkojmë falje përpara se të japim leksion moral për atë që kemi bërë për 3.000 vjet në mbarë botën. Nëse Evropa vërtet e vlerëson fatin e këtyre njerëzve, mund të krijojë rrugë ligjore për disa prej tyre që të vijnë në Evropë për të punuar. Mund t’u japë atyre pak të ardhme dhe shpresë”.

Ai theksoi se reforma dhe ndryshimi kërkojnë kohë, duke shtuar se leksioni i njëanshëm moral është thjesht hipokrizi.

“Pyes veten pse askush nuk e sheh progresin e bërë që nga viti 2016”, tha presidenti i FIFA-s.

Ai tha se nuk po e mbron Katarin, por futbollin, dhe se e ka të vështirë t’i kuptojë kritikat.

Infantino tha se çdo punëtor që ka pësuar aksident merr kompensim ligjor, duke shtuar se fondi i FIFA-s për Katar 2022 do të transferohet në arsim dhe është nënshkruar një marrëveshje për të ndihmuar 25 milionë fëmijë dhe gra në Indi.

I pyetur në lidhje me ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike në stadiume dhe rreth tyre, Infantino deklaroi: “Nëse ky është problemi ynë më i madh me Kupën e Botës, unë menjëherë do të jap dorëheqjen dhe do të shkoj në plazh për të pushuar. Çdo vendim i marrë në Kupën e Botës është vendim i përbashkët i Katarit dhe FIFA-s. Do të ketë shumë zona tifozësh ku mund të blini dhe ku tifozët mund të konsumojnë alkool. Mund të mbijetoni edhe nëse nuk pini birrë për tri orë në ditë”.

Kategoritë
LajmeSport