Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit Al Thani tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë përgjegjësitë e tij për të përmirësuar kushtet katastrofike humanitare në Gaza
Katari i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të kundërshtojë me vendosmëri “politikën e urisë” të zbatuar kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, priti koordinatoren speciale të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Sigrid Kaag e cila po viziton vendin e tij.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet e forta mes Katarit dhe OKB-së dhe mënyrat për mbështetjen dhe forcimin e tyre.
Krahas zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës, veçanërisht vështirësive të hasura në operacionet e ndihmës humanitare, në takim u diskutuan edhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet OKB-së dhe Katarit për të siguruar dërgimin e qëndrueshëm dhe të papenguar të ndihmave humanitare në të gjitha pjesët e Rripit të Gazës.
Ministri i Katarit Al Thani theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë përgjegjësitë e tij për të përmirësuar kushtet katastrofike humanitare në Gaza dhe të kundërshtojë me vendosmëri “politikën e urisë” të Izraelit kundër popullit palestinez.
Izraeli vendosi të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve me Hamasin.