Katari do të lejojë fluturime direkte nga Izraeli gjatë Kupës së Botës

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se marrëveshja përfshin gjithashtu lejimin e palestinezëve që të përdorin fluturimet me çarter midis aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit dhe Aeroportit Ndërkombëtar Hamad në Doha.

Kryeministri izraelit Yair Lapid njoftoi sot se tifozët izraelitë të futbollit do të mund të fluturojnë drejtpërdrejt në Katar për Kupën e Botës FIFA 2022.

“Kemi vendosur fluturime direkte midis Izraelit dhe Katarit për tifozët që marrin pjesë në Kupën e Botës FIFA”, tha Lapid në Twitter, duke falënderuar Ministrinë e Jashtme izraelite që e ka bërë të mundur këtë.

Katari dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

“Ne kemi siguruar me sukses të gjitha garancitë, duke përfshirë aksesin në shërbimet konsullore për izraelitët gjatë qëndrimit të tyre në Katar”, citoi Times of Israel të ketë thënë Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme izraelite Alon Ushpiz.

Nga ana e tij, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se marrëveshja përfshin gjithashtu lejimin e palestinezëve që të përdorin fluturimet me çarter midis aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit dhe Aeroportit Ndërkombëtar Hamad në Doha.

“Jemi të kënaqur që është arritur një marrëveshje që tifozët izraelitë dhe palestinezë të vizitojnë Katarin dhe të ndjekin ndeshjet gjatë Kupës së Botës”, tha Infantino.

Kupa Botërore në Katar do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor. Katari është vendi i parë arab dhe i Lindjes së Mesme që e organizon këtë kompeticion.

Kategoritë
BotaLajme