“Doha nuk do të pranojë të shfrytëzohet për qëllime politike. Pozicioni i Katarit është i vendosur dhe i qartë, që është të pushojë zjarrin dhe të sjellë ndihma në Rripin e Gazës”, theksoi al-Ansari
Katari ka bërë të ditur se është gati të rifillojë përpjekjet ndërmjetësuese për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.
“Doha është e gatshme të rifillojë negociatat nëse ka seriozitet nga palët”, tha Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit.
Ai shtoi se vendi i tij e ka pezulluar ndërmjetësimin për shkak “të mungesës së seriozitetit nga palët”.
“Doha nuk do të pranojë të shfrytëzohet për qëllime politike. Pozicioni i Katarit është i vendosur dhe i qartë, që është të pushojë zjarrin dhe të sjellë ndihma në Rripin e Gazës”, theksoi al-Ansari.
Ai tha se negociatorët e Hamasit nuk janë aktualisht në Doha dhe theksoi se ata “po lëvizin midis kryeqyteteve të ndryshme”.
“Nëse zyra politike e Hamasit (në Doha) mbyllet, do të njoftohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, jo përmes mediave të tjera”, theksoi ai.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari deri më tani kanë dështuar për të arritur një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza, por Washingtoni pohon se vrasja nga Izraeli e liderit të Hamasit Yahya Sinwar më 18 tetor mund të çojë në një përparim në bisedime.
Megjithatë, Hamasi thotë se konflikti do të përfundojë vetëm kur Izraeli të ndalojë fushatën ushtarake në enklavën e bllokuar palestineze, ku që nga tetori i vitit 2023 nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 44 mijë njerëz.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.