Ministrat së bashku me liderët e tjerë të kolonëve kërkuan imponimin e sovranitetit izraelit dhe zgjerimin e ndërtimit të vendbanimeve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar
Katër ministra në qeverinë izraelite të ekstremit të djathtë të Benjamin Netanyahut kërkuan të dielën aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, ministrat thirrjet i kanë bërë gjatë një ceremonie të hapjes së një lagjeje në vendbanimin ilegal “Har Brakha” pranë qytetit Nablus në veri të Bregut Perëndimor.
Ministrat që bënë thirrjet ishin ministri i Mbrojtjes Israel Katz, ministrja e Vendbanimeve dhe Misioneve Kombëtare Orit Strock, ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe ministri për Rezistencë Kombëtare, Negevit dhe Galilesë, Yitzhak Wasserlauf.
Sipas KAN, ministrat së bashku me liderët e tjerë të kolonëve kërkuan imponimin e sovranitetit izraelit dhe zgjerimin e ndërtimit të vendbanimeve në të gjithë Bregun Perëndimor.
Katz e konsideroi vendbanimin në fjalë si vijën e frontit të mbrojtjes së Izraelit, duke thënë se ofensiva ushtarake e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor do të vazhdojë.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB), i konsideron vendbanimet izraelite si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
OKB-ja ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve kërcënon qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete, një kornizë që shihet si kyçe për zgjidhjen e konfliktit dhjetëravjeçarë palestinezo-izraelit.
Tensionet mbeten të larta në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku të paktën 954 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, tregojnë të dhënat palestineze.
Në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.