Katër orë bisedime për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, këto janë çështjet që u diskutuan sot

Takimi midis dy delegacioneve ruse dhe ukrainase që u zhvillua sot në Stamboll ka përfunduar, njoftoi ambasada e Ukrainës në Turqi.

Delegacionet u takuan në Stamboll për të diskutuar për një armëpushim dhe fund të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

Bisedimet zgjatën rreth katër orë me pushime të herëpashershme. Është e paqartë nëse do të vazhdojnë për një ditë të dytë, raporton Reuters.

Këshilltari i Presidentit ukrainas ka zbuluar çështjet që u diskutuan në Stamboll.

“Çështja e parë ishte marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të Ukrainës. Vetëm me një marrëveshje të tillë përfundon lufta. Ukraina pranon statusin neutral vetëm nëse i jepen garanci”, tha Mykhailo Podolyak.

Çështja e dytë, shtoi Podolyak, “kishte të bënte me armëpushimin, në mënyrë që çdo problem humanitar të zgjidhet”.

“Dua të nënvizoj se sot kemi një tjetër problem, që është përshkallëzimi i luftës, i urrejtjes, dhunës dhe shkelja e rregullave të luftës, jo vetëm në fushë-betejë”, tha këshilltari presidencial.

Roman Abramovich ishte i pranishëm në bisedime, por jo zyrtarisht pjesë e ekipeve negociatore. Takimi sy më sy midis delegacionit ukrainas dhe rus u zhvillua në prani të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kategoritë
BotaLajme