Katër serbët e arrestuar dalin para gjykatës, ishin paraqitur si pelegrinë

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka nisur seanca për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të arrestuarve, të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, që u arrestuan gjatë kësaj fundjave në Gjakovë.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë ndaj këtyre katër të arrestuarve kanë nisur hetimet dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Mbrëmë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoj se në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë së Kosovës më 5 dhe 6 prill 2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë, prej tyre katër oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Sipas Sveçlës, dyshohet se serbët e arrestuar kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Po ashtu sipas Sveçlës njëri nga të arrestuarit është i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orësh, ka shkruar Sveçla në Facebook.

E me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dje u mbajt edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.

Kategoritë
BotaLajme