Kërcënimet shterpe të Listës Serbe për tërheqje nga institucionet

Jo të rralla janë rastet kur Lista Serbe kërcënon për tërheqje nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Një suspendim i kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liliana Stefanvoiq ka bërë që nga ky subjekt politik të njoftojnë se i ngrijnë pozitat e tyre në ekzekutiv, legjislativ e gjyqësor.

Suspendimi i Stefanoviq nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është bërë pasi që ajo ka qenë pjesë e një takimi në Beograd, të cilin e ka kryesuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Deri në rikkthimin e saj në detyrë ata thonë se nuk do t’i kthehen punës.

Ngjashëm politikanët serbë të kësaj partie në Kosovë kishin bërë edhe në tetorin e vitit 2021.

Atëherë serbët me në krye Goran Rakiqin, udhëzuar nga Beogradi, kanë thënë se largohen nga institucionet kosovare nëse ato nuk e respektojnë marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ultimatumi kishte qenë që nëse brenda muajit nuk nisin bisedimet për asociacionin atëherë tërheqja do të ndodhte.

Edhe 2019-ta ka qenë vit i një kërcënimi tjetër i Listës Serbe. Dënimi me burgim me dy vjet i ish-deputetit Ivan Todosijeviq për mohimin e masakrës së Reçakut ishte shkaku. Tërheqja s’ishte pasoja!

Kësisoj kishte pasur deklarime edhe kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte arrestuar drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë më 2018. Ministrat, zëvendësministrat dhe deputetët serbë kishin bojkotuar institucionet, por që pa hequr dorë nga benefitet. Afërsisht sikur një vit më pas, kur deklaronin tërheqjen, por dilnin në punë!

Kanë qenë vetëm kryetarët e komunave që kishin dhënë dorëheqje, kur qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që ta vendoste një taksë prej 100 përqind për produktet që importoheshin nga Serbia.

Në 2016-n, ish-ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Mirjana Jevtiq ishte tërhequr nga kjo pozitë me kërkesë të Aleksandër Vuçiq, që ishte kryeministër i Serbisë.

Lista Serbe në Kosovë kishte “ngrirë” pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.

Duke rikonsideruar hyrjen në qeveri dhe me kërcënim të pastajmë për largim prej saj, Lista Serbe kishte kërkuar zbatimin e marrëveshjes për formim të asociacionit edhe shtatë vjet më parë.

“Një prej pikave të marrëveshjes për koalicion, mbi bazën e së cilës edhe kemi hyrë në Qeverinë e Kosovës, ka qenë edhe formimi i AKS-së dhe ne s’kemi çfarë të kërkojmë me partnerët që nuk respektojnë atë që kanë nënshkruar”, kishte deklaruar Dalibor Jevtiq.

Këto janë disa prej lëvizjeve që ka bërë Lista Serbe ndër vite, e që kryesisht kanë qenë lëvizje të modifikuara, asnjëherë duke mos pasur tërheqje finale nga institucionet qendrore të Kosovës.

Kategoritë
LajmeRajoni