Avionët luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) janë ngritur në ajër dy herë brenda më pak se 48 orëve për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s nga avionët rusë.
Këtë javë, avionët luftarakë britanikë Typhoon janë aktivizuar dy herë pasi avionët rusë iu afruan kufijve të NATO-s, duke shkaktuar alarmin.
Qeveria britanike do t’i përdorë këto ndërhyrje si dëshmi shtesë të rritjes së kërcënimit rus, në përpjekje për të bindur Shtetet e Bashkuara të mos e zvogëlojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë.
Ky është rasti i parë i përfshirjes së RAF-it në operacionin “Chessman” – një mision i ri i NATO-s që synon forcimin e mbrojtjes ajrore evropiane.
Të martën, më 15 prill, dy avionë luftarakë Typhoon të stacionuar në bazën ajrore Malbork në Poloni u ngritën për të kapur një avion rus zbulues mbi Detin Baltik.
Më pak se 48 orë më vonë, një dyshe tjetër avionësh u dislokua për të kapur një avion të paidentifikuar që ishte nisur nga rajoni rus i Kaliningradit, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë.
Ministri britanik i Forcave të Armatosura, Luke Pollard, i tha The Telegraph se Mbretëria e Bashkuar mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj NATO-s.
“Me agresionin rus në rritje dhe me rritjen e kërcënimeve të sigurisë, ne po forcojmë qëndrimin tonë për të bindur aleatët tanë, për të zmbrapsur kundërshtarët dhe për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare përmes planit tonë të transformimit,” tha ai.
Avionët, pjesë e një flote prej gjashtë Typhoon-ësh, u dislokuan në Poloni vetëm tre javë më parë si pjesë e një operacioni të përbashkët mbrojtës me forcat ajrore suedeze. Normalisht janë të stacionuar në bazën RAF Lossiemouth në Skoci, dhe rreth 200 ushtarakë britanikë po mbështesin këtë mision.
Kur avionët u vendosën në Poloni, komandanti i njësisë ajrore, Christopher Jacob, deklaroi se misioni i tyre ishte “të mbrojnë dhe të parandalojnë, duke qëndruar gjithmonë gati për t’u përballur me çdo kërcënim”.
Në fund të shkurtit, avionët luftarakë francezë Rafale kishin kapur dy avionë rusë afër brigjeve të Letonisë.
Ndërmjet 10 dhe 16 marsit, avionët luftarakë të NATO-s kryen tre ngritje emergjente për të zbuluar dhe përcjellë avionët rusë që kishin shkelur rregullat e fluturimit mbi shtetet baltike.
Më 28 mars, avionët luftarakë të forcave ajrore gjermane kapën një avion rus zbulues në hapësirën ajrore të NATO-s dhe e përcollën deri sa u kthye drejt Kaliningradit.