Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që sulmoi seksualisht Mrika Nikqin

Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Flori Beqirajt, i dyshuar për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit.

Rasti ka ndodhur më 27 shtator në qendër të qytetit të Pejës, ndërsa kërkesa për paraburgim në gjykatën kompetente është bërë këtë të shtunë.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Telegrafin Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.

“Me datë 27 shtator ka ndodhur rastit i  veprës penale të “Sulmit Seksual”  dhe për këtë çështje penale kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitet relevante policore. Pas punës intensive është bërë e mundshme identifikimi i personit të dyshuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar fillimisht për 48 orë”, ka thënë ai.

“Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në gjykatën kompetente, ku gjatë mbajtjes së kësaj seance Prokurori i Shtetit do shpalosë arsye që gjykata t’ia caktojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, ka shtuar Nikqi.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten mbrëma një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës.

Viktima Mrika Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtarë i  një familje të njohur në  qytetin e Pejës”.

Babai i alpinistes Mrika Nikqi, Arianit Nikqi, është deklaruar pas videos që e kishte publikuar vajza e tij, në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.

“Kuptohet që jam ndier shumë i shqetësuar, por fatmirësisht ka qenë një bashkëpunim i mirë me organet përkatëse dhe me qytetarët”, ka thënë Nikqi, për Klan Kosova.

I pyetur për detaje të tjera lidhur me të dyshuarin dhe me procedimin e rastit, ai tha se nuk mund të prononcohet për momentin për këtë dhe se pret që çështja të zgjidhet përmes rrugëve ligjore.

“Për më tepër, nuk mund të prononcohem”, ka përfunduar Nikqi.

Kategoritë
LajmeVendi