Kërkohet trajtim i veçantë për nënat dhe fëmijët në shërbimet korrektuese

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se për herë të parë shërbimi korrektues ka një ligj dhe kjo përkthehet me “avancim të kornizës ligjore”

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur konferencë ku është bërë publik raporti i 14-të me radhë mbi “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë”, raporton Anadolu.

Në konferencë u prezantua raporti me gjetjet dhe rekomandimet nga monitorimi i të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese për vitin 2022.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, duke folur për pikat pozitive pas monitorimit të shërbimit korrektues, tha se për herë të parë shërbimi korrektues ka një ligj dhe kjo përkthehet me “avancim të kornizës ligjore”.

Ajo tha se edhe luftimi i kontrabandës dhe korrupsionit kanë qenë nga pikat me rëndësi pozitive gjatë vitit 2022.

Duke folur për mangësitë e shërbimit korrektues, Rushiti tha se mungesa e trajtimit në mënyrë të veçantë për personat me nevoja të veçanta si dhe për nënat dhe fëmijët është fakt.

“Mendojmë që duhet të ketë një tretman të veçantë për nënat dhe fëmijët në pavijonin e të burgosurave gra për faktin që në mesin e të dënuarve mund të ketë edhe nëna dhe fëmijë të cilat kanë nevoja të veçanta dhe mendojmë që këtij institucioni duhet t’i shtohet edhe një pavijon i veçantë për nënën dhe fëmijën i cili do t’i plotësonte kërkesat dhe standardet ashtu siç parashihet edhe me ligjet vendore dhe me ligjet ndërkombëtare”, tha Rushiti.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se gjithë njerëzve që u është hequr liria përkohësisht kanë të drejta themelore të cilat duhet t’u sigurohen e garantohen me çdo kusht.

Ai tha se duke respektuar konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor në fuqi të gjithë personat në institucionet korrektuese duhet të trajtohen përkitazi me normat që ka caktuar shoqëria përmes instrumenteve për të.

“Gjithmonë duhet pasur parasysh se institucionet tona korrektuese kanë për detyrë korrektimin, me qëllim të ri-integrimit dhe ri-socializimit në shoqëri të personave të dënuar, dhe jo ndëshkimin e tyre. Në këtë kuptim në respektimin e të drejtave të njeriut të personave të dënuar është një përgjegjësi e përbashkët”, tha Sallahu.

Gjatë vitit 2022 QKRMT ka realizuar 14 vizita sistematike, vizita ad-hoc dhe vizita tematike në shërbimin korrektues kosovar.

QKRMT nga viti 2006 monitoron zhvillimin e institucionit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi