KESCO aplikon për rritje të tarifave të energjisë, shkak i mossubvencionimit nga Qeveria

Furnizuesi me Shërbim Universal të rrymës në Kosovës, KESCO, ka aplikuar zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji, për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale, ka njoftuar ZRRE-ja të martën. Kërkesën për shtrenjtim të tarifave të rrymës, KESCO e ka arsyetuar me mungesën e mossubvencionimit të zotuar nga Qeveria e Kosovës.

KESCO ka thënë se nëse s’merren parasysh rreziqet aktuale, mund të krijohen probleme më të thella financiare dhe të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike.

Në aplikacion, KESCO ka thënë se kostot nuk po mbulohen përmes tarifave dhe subvencionit të zotuar nga Qeveria.

“Sipas FSHU-së, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milion euro. Vetëm mungesa e mos-disbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së. Rregullatori në propozimin përfundimtar për tarifat e energjisë elektrike me pakicë kishte marrë parasysh alokimin e subvencionit shtesë prej 10 milion euro sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 05/55 të datës 21.01.2022, si dhe vendimin Nr. 01/60 të datës 05.02.2022, për subvencionimin e energjisë në vlerë prej 90 milion euro”, thuhet në njoftim të ZRRE-së.

Sipas ZRRE-së, si rezultat i vendimeve për subvencionim, tarifat me pakicë për konsumatorët jofamiljarë dhe për ata familjarë me konsum mujor deri në 800kWh patën mbetur të pandryshuara në vendimin e shkurtit.

ZRRE-ja është zotuar se do ta shqyrtojë kërkesën dhe do ta mbajë të njoftuar publikun lidhur me veprimet që do të ndërmerren.

Në shkurt, ishte kthyer blloktarifa në 800kWh. Kushdo që shpenzon mbi të, do të faturohet me tarifa më të larta. Qeveria pati vendosur të ndajë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, ndërsa vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati konfirmuar në korrik se nga kjo shumë totale, janë shpenzuar rreth 23 milionë euro.

Kategoritë
LajmeVendi