Këshilli i Evropës: Rusia përdori “të drejtat e pakicave” si justifikim për të pushtuar Ukrainën

Këshilli i Evropës i ka drejtuar kritika Rusisë për “përdorimin e të drejtave të pakicave si justifikim për të pushtuar Ukrainën”.

Komiteti Këshillimor për Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (FCNM) hodhi pretendimin se Rusia përdori “të drejtat e pakicave” si një justifikim për të pushtuar Ukrainën.

Përmes një deklarate të publikuar në uebfaqen zyrtare të Këshillit të Evropës ditën e hënë, Komiteti Këshillimor për FCNM-në ka dënuar në termat më të ashpër të mundshëm agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës duke shprehur “keqardhje që autoritetet ruse përdorën çështjet e të drejtave të pakicave si pretekst për pushtimin”.

“Komiteti është thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e situatës për marrëdhëniet ndëretnike në Ukrainë si pasojë e luftës; është i tmerruar nga humbjet e jetëve dhe vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga lufta, e cila prek gjithashtu personat që u përkasin pakicave kombëtare në zonat e prekura nga lufta, personat e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët”, tha organi në fjalë i Këshillit të Evropës në deklaratën e miratuar në seancën e tij plenare javën e kaluar.

Duke vënë në pah se Ukraina është një vend multietnik dhe rajonet më të shkatërruara në Lindjen dhe Jugun e Ukrainës janë shtëpia e shumë pakicave kombëtare, Komiteti Këshillimor i FCNM-së iu bashkua sekretares së përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç, në dënimin e dhunës barbare kundër grave dhe fëmijëve.

“Lufta në Ukrainë ka thelluar mosbesimin midis personave që identifikohen si rusë etnikë dhe popullatës shumicë. Kjo do të ndikojë edhe tek ata persona që identifikohen me pakicat e tjera kombëtare ose si ukrainas, por përdorin rusishten si gjuhën e tyre kryesore të komunikimit”, theksohet në deklaratë.

Sipas Komitetit Këshillimor të FCNM-së, agresioni shkel jo vetëm detyrimet e Rusisë sipas Statutit të Këshillit të Evropës, por bie ndesh me parimet e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

“Kjo kontradiktë nuk mund të jetë më e fortë se kaq”, potencoi Komiteti.

Në bazë të Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, mbrojtja e pakicave kombëtare është pjesë integrale e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe dispozitat e Konventës “duhet të zbatohen në mirëbesim, në frymën e mirëkuptimit dhe tolerancës dhe në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë, marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve”.

Si pasojë e luftës që Moska filloi ndaj Kievit më 24 shkurt (2022), Federata Ruse u përjashtua nga Këshilli i Evropës. Duke qenë se FCNM-ja është e hapur për shtetet joanëtare, Rusia mbetet palë nënshkruese e kësaj konvente dhe rrjedhimisht është e detyruar t’u përgjigjet obligimeve të saj dhe t’i nënshtrohet procedurës së monitorimit.

“Në këtë kontekst dhe rrethanat që e lejojnë, Komiteti Këshillimor do të vazhdojë të ndjekë nga afër pasojat e këtyre zhvillimeve mbi pakicat kombëtare në Federatën Ruse”, thuhet në fund të deklaratës së Këshillit të Evropës.

  • SHBA-ja thotë se 20 vende premtojnë dërgesa të reja armësh për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ShBA-së, Gjeneralarmate Mark Milley morën pjesë në forumin e dytë ndërkombëtar për Ukrainën, i njohur zyrtarisht si Takimi i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.

Pas takimit të mbajtur online të dy zyrtarët amerikanë organizuan një konferencë shtypi në Pentagon.

Sekretari Austin tha se në këtë takim kishin marrë pjesë edhe Austria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Kolumbia dhe Irlanda.

Duke folur për vendosmërinë e vendeve pjesëmarrëse për të mbështetur Ukrainën, Austin bëri këtë vlerësim për gazetarët: “Në takim u bënë njoftime mjaft të kënaqshme lidhur me ndihmat shtesë për Ukrainën. 20 vende bënë të ditur se do t’i ofrojnë Ukrainës dërgesa të reja armësh për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër sulmit të Rusisë. Shumë vende do të dhurojnë municione artilerie ‘të nevojshmërisë kritike’, sisteme të mbrojtjes bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara”.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin falënderoi Danimarkën, e cila njoftoi se do t’i japë Ukrainës raketa “Harpoon” dhe platformat për lëshimin e këtyre raketave për ta ndihmuar këtë vend të mbrojë bregdetin, si dhe Çekinë, e cila u zotua për ta furnizuar ushtrinë ukrainase me tanke, raketa dhe helikopterë.

Gjithashtu Italia, Greqia, Norvegjia dhe Polonia deklaruan në takim se do t’i ofrojnë Ukrainës sisteme artilerie dhe municione, shtoi sekretari amerikan.

  • Kuleba kërkon përshpejtimin e dërgesave të armëve dhe municioneve në Ukrainë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u bëri thirrje “partnerëve” të përshpejtojnë dërgimin e armëve dhe municioneve në vendin e tij.

Kuleba bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

“Është shumë herët për të arritur në përfundimin se Ukraina tashmë i ka të gjitha armët që i nevojiten. Ofensiva ruse në Donbas është konflikti më i madh brutal në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore (1939-1945). Unë u bëj thirrje partnerëve që të përshpejtojnë dërgimin e armëve dhe municioneve, veçanërisht të sistemeve të raketahedhësve shumëgrykësh, artilerisë me rreze të gjatë veprimi dhe autoblindave”, deklaroi Kuleba.

Kategoritë
BotaLajme