Këshilltari i përzgjedhur i Trump-it për sigurinë kombëtare thotë se trupat e SHBA-së nuk duhet të jenë në Siri

“Ne nuk kemi nevojë që çizmet amerikane të qarkullojnë rreth Sirisë në asnjë mënyrë apo formë”, tha Mike Waltz

Mike Waltz, i përzgjedhur si këshilltar për sigurinë kombëtare nga Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tha se trupat amerikane nuk duhet të qëndrojnë në Siri, duke përmendur nevojën për të shmangur përfshirjen në konfliktet e zgjatura në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Në një intervistë të transmetuar të dielën, Waltz diskutoi çështje kyçe të politikës së jashtme, duke përfshirë situatën në Siri, pengjet amerikano-izraelite në Gaza dhe ambiciet bërthamore të Iranit.

Waltz theksoi se shqetësimet kryesore të Washington-it në Siri përfshijnë kërcënimin e paraqitur nga terroristët e DEASH-it dhe garantimin e sigurisë së kufijve të Izraelit.

“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë. Mandati i tij në masë të madhe ishte të mos përfshiheshim në luftërat në Lindjen e Mesme”, tha Waltz, duke shtuar: “Ne nuk kemi nevojë që çizmet amerikane të qarkullojnë rreth Sirisë në asnjë mënyrë apo formë. Por ne jemi duke i vëzhguar nga afër këto gjëra: DEASH-in, kufirin e Izraelit dhe një lloj dinamike më e gjerë me aleatët tanë të Gjirit”.

Në lidhje me Iranin, Waltz theksoi rëndësinë e parandalimit të Teheranit nga posedimi i armëve bërthamore.

“Nëse Irani arrin të ketë një armë bërthamore, sauditët do të duan një armë bërthamore, turqit do të duan një armë bërthamore”, pohoi ai.

Duke folur rreth Gazës, Waltz tha se Hamasi është më i izoluar se kurrë dhe bëri thirrje për lirimin e pengjeve amerikano-izraelite. “Hamasi ka çdo dalje të bllokuar, përveç njërës, dhe kjo është të lirojë pengjet tanë nëse dëshiron të jetojë”, tha ai.

Waltz tregoi gjithashtu se rebelët huthi në Jemenin e shkatërruar nga lufta do të ripërcaktohen si një organizatë terroriste sapo Trump të marrë detyrën.

Ai vlerësoi gjithashtu operacionet e fshehta të Izraelit ku u shënjestruan pajisjet e komunikimit të Hezbollahut në Liban.

“Kjo ka ndodhur për shkak të asaj që Izraeli dhe lidershipi i tij nën ‘Bibi’ Netanyahu i bënë Hezbollahut me pajisjet e komunikimin ‘pager’ dhe ‘walkie-talkie’. Do të ketë një film të mrekullueshëm për këtë një ditë, mendoj se është një nga operacionet e fshehta më të guximshme, më efektive në historinë moderne. Për shkak të rrëzimit të atillë të Hezbollahut, që të gjithë thanë se nuk mund të bëhej dhe se do të ishte shumë provokuese. Pastaj ekspozimi i mbrojtjes ajrore të Iranit në mënyrë që ata të jenë ‘të zhveshur’ tani dhe në disavantazh”, tha Waltz.

Kategoritë
BotaLajme