Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, është zyrtari më i fundit në administratën e Donald Trumpit që ka sinjalizuar një ndryshim drastik të qëndrimit të SHBA-së në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai gjithashtu dërgoi një mesazh për liderin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ata duhet të ulin tonin, ta shqyrtojnë mirë dhe ta nënshkruajnë atë marrëveshje,” tha Waltz për Fox & Friends, duke iu referuar marrëveshjes së paqes për të cilën SHBA-të po negociojnë me qëllim përfundimin e konfliktit territorial gati trevjeçar.
Njëkohësisht, Waltz tha se beson se dallimet mes SHBA-së dhe Ukrainës mund të tejkalohen.
Waltz dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio zhvilluan gjatë fundjavës negociata me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Arabinë Saudite, duke vendosur themelet diplomatike për një marrëveshje në bisedime ku Ukraina nuk ishte e pranishme.
Waltz theksoi se pala amerikane “i ka ofruar ukrainasve një mundësi vërtet të jashtëzakonshme dhe historike që Shtetet e Bashkuara të investojnë në ekonominë e tyre, në burimet e tyre natyrore dhe të bëhen një partner i qëndrueshëm në të ardhmen e Ukrainës.”