KFOR-i mirëpret vendimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës

KFOR-i tha se heqja e barrikadave duhet të bëhet shpejt, në mënyrë të sigurt dhe duke shmangur çdo lloj incidenti apo rreziku

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka mirëpritur vendimin e mbrëmshëm për heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për media, KFOR-i tha se heqja e barrikadave duhet të bëhet shpejt, në mënyrë të sigurt dhe duke shmangur çdo lloj incidenti apo rreziku.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR-i po monitoron nga afër zhvillimet. Ne mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Barrikadat në territorin e Kosovës filluan të largohen sot, derisa procesi i largimit të tyre nga rrugët publike në veri po vazhdon edhe aktualisht.

Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb jo larg kufirit me Kosovën.

Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh për të.

Kategoritë
LajmeVendi