KFOR: Të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione

Duke folur për zbutjen e tensioneve në veri të vendit atje ku serbët lokalë kanë ngritur barrikada duke bllokuar rrugët, Ristuccia ka bërë të ditur se “zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim për media, Ristuccia është shprehur se KFOR mbetet vigjilent dhe i aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Duke folur për zbutjen e tensioneve në veri të vendit, atje ku serbët lokalë kanë ngritur barrikada duke bllokuar rrugët, Ristuccia ka bërë të ditur se “zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut” ndërsa për këtë tha se ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe garancinë e të gjitha komuniteteve”, theksoi Ristuccia.

Tutje Ristuccia ka thënë se nxisin të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin e lëvizjes së lirë në territorin e Kosovës dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që ndikojnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Nga 10 dhjetori në veri të Kosovës serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak, si reagim pas arrestimit të ish-policit të Policisë së Kosovës nga radhët serbe, Dejan Pantiq.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë kanë thënë se po presin që KFOR-i ta bëjë largimin e barrikadave nga rrugët publike në veri, derisa kanë theksuar se edhe autoritetet kosovare kanë kapacitetet e nevojshme ta bëjnë një gjë të tillë.

Kategoritë
LajmeVendi