KGjK paralajmëron masa ndëshkuese ndaj gjyqtarëve nëse ka pasur neglizhencë në rastet e Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK),ka paralajmëruar se do të iniciojë procedurë disiplinore nëse konstatohet se ka pasur neglizhencë nga ana e Gjykatës në lidhje me rastet e Dardan Krivaqës dhe Arber Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.

Përmes një komunikatë për medie, “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), njofton opinionin publik se ka pranuar njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj lidhur me rastet e A.S. dhe D.K. dhe ka mbledhur të dhëna të tjera nga Sistemi elektronik i Evidencës Penale”.“Pas pranimit të këtyre të dhënave, KGjK thotë se në konsultim me anëtarët e Këshillit, i ka vlerësuar dhe analizuar këto të dhëna, me ç’rast ka dërguar kërkesë tek autoriteti kompetent për të shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e këtij rasti nga gjykata dhe gjyqtarët përkatës”, thuhet në komunikatë.

“KGjK, zotohet se do t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të adresuar dhe trajtuar deri në fund çështjen në fjalë dhe në rast se konstatohet se ka lëshime apo neglizhencë, atëherë do të ndërmerren masa ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës sipas procedurës disiplinore përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, që nga 12 korriku i vitit 2013, A.S. është i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë në tentativë dhe për vite me radhë lënda e tij ka qarkulluar në gjykata. Ai është sërish arrestuar ditë më parë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”, në rastin e 18-vjeçares në Ferizaj.

Kategoritë
LajmeVendi