Kiev: Minat detare të hasura në Turqi dhe Rumani janë sekuestruar nga Rusia në Sivastopol

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës raportoi se forcat ushtarake ruse u përpoqën të provokojnë dhe diskreditojnë Ukrainën në arenën ndërkombëtarë, duke përdorur mina detare të sekuestruara në Sivastopol.

Ukraina fajëson Rusinë për minat detare që lundrojnë të lira në Detin e Zi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës raportoi se minat detare të hasura në Türkiye dhe Rumani më 26-28 mars nuk ishin regjistruar në inventarin e Forcave Detare të Ukrainës që nga fillimi i vitit 2022.

Në deklaratën e bërë në faqen zyrtare të Ministrisë, thuhet se forcat ushtarake ruse u përpoqën qëllimisht të provokonin dhe diskreditonin Ukrainën para partnerëve ndërkombëtarë, duke përdorur mina detare të sekuestruara gjatë pushtimit të përkohshëm të qytetit ukrainas të Sivastopolit në vitin 2014.

Në deklaratë thuhet se Rusia qëllimisht i ktheu minat detare në mjete lufte në të gjithë Detin e Zi, në Azov, si dhe në ngushticat e Kerçit dhe ngushticat e Detit të Zi, pa bërë dallim, duke kërcënuar mbi të gjitha transportin civil dhe jetën e njeriut në det.

Gjithashtu bëhet e ditur se marina ruse, e cila filloi një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, përveç kapjes dhe shkatërrimit të anijeve civile dhe bombardimit të Ukrainës nga deti, po i përdor minat detare si një “metodë piraterie” të re, dhe se përgjegjësia për përdorimin e minave të lëvizshme dhe pasojat e tyre të paparashikuara i përket Federatës Ruse dhe flotës së saj detare.

Për minat detare që janë shfaqur në Detin e Zi pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, edhe Kombet e Bashkuara (OKB) raportuan se “minat në ujërat ndërkombëtare përbëjnë një shqetësim serioz”.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric tha: “Ne po i ndjekim zhvillimet dhe të gjitha llojet e minave në ujërat ndërkombëtare janë jashtëzakonisht shqetësuese, veçanërisht për sa i përket ndikimit të tyre në transportin ndërkombëtar. Rajoni për të cilin po flasim është kritik për eksportet e ushqimit nga të dyja vendet, Rusia dhe Ukraina”.

Kategoritë
BotaLajme