Kim Jong-un ndërhyn mes Rusisë dhe Ukrainës për Donbasin

Autoritetet e Koresë së Veriut njohën sot pavarësinë e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut dhe fqinjit të saj Lugansk, të vendosura në Donbas (lindje të Ukrainës), duke ndjekur kështu hapat e ndërmarrë fillimisht nga Siria dhe Rusia në fund të shkurtit.

Nota në fjalë i është dorëzuar ambasadorit rus në Phenian, sipas një zëdhënësi të Ambasadës së Koresë së Veriut në Moskë, i cituar nga agjencia Interfax.

“Republika Popullore Demokratike e Koresë e ka njohur sot Republikën Popullore të Donetskut”, ka postuar në Telegram kreu i Republikës Popullore të Donetskut, Denís Pushílin.

Ky vendim, sipas Pushílin, nuk bën gjë tjetër veçse “forcon statusin ndërkombëtar” dhe “shtetësinë” e republikës së vetëshpallur.

“Kjo është një fitore tjetër për diplomacinë tonë. Falënderojmë popullin e Koresë së Veriut për mbështetjen e rëndësishme për popullin e Donbasit”, tha ai.

Për liderin rajonal, njohja nga Koreja e Veriut do të shërbejë për një zhvillim më të madh dhe më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në çështjet ekonomike: “Jam i sigurt se na pret një bashkëpunim aktiv dhe i frytshëm”.

Nga ana tjetër, autoritetet e Koresë së Veriut i kanë thënë ambasadorit rus në vend, Alexander Matsegora, se Pheniani gjithashtu njeh pavarësinë e Luganskut, raporton agjencia ruse e lajmeve TASS.

Vendimi i Phenianit nuk është pritur mirë në Ukrainë. Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Korenë e Veriut. Portofoli diplomatik ukrainas e konsideron këtë hap të Koresë së Veriut si një përpjekje për të minuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe normave e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, në Kiev kanë pranuar se janë të vetëdijshëm se deklarata e Phenianit nuk do të ketë efekte apo pasoja ligjore, pasi ajo nuk ndryshon kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve UNIAN.

Kategoritë
BotaLajme