Kina godet anijen filipinase me lazer ushtarak

Filipinet akuzuan Kinën të hënën se ka goditur një anije të saj me lazer ushtarak, duke e quajtur veprimin një akt provokues. Ushtria e Filipineve tha se pala kineze duhet të përmbahet e të mos përdorë metoda të tilla.

Anija e Rojës Bregdetare Filipinase u godit teksa po kryente një mision furnizimi të trupave të saj të vendosura në një grup ishujsh në Detin e Kinës Jugore. Sipas palës filipinase, anija kineze i drejtoi lazerin me synim verbimin e ekuipazhit.

Episodi ndodhi më 6 shkurt rreth 195 kilometra larg provincës filipinase Palaëan, ku është vendosur përohësisht një grup i vogël ushtarësh. Ata po punojnë aty me një anije të fundosur të Luftës II Botërore. Mjeti 100 metra i gjatë është nxjerrë në breg që prej vitit 1999, për të përforcuar pretendimet e Filipineve mbi sovranitetin e arkipelagut.

Ushtria filipinase publikoi edhe pamjet e incidentit, ndërsa Kina nuk ka komentuar ende mbi atë që ka ndodhur. Më parë, Pekini është shprehur i gatshëm të zgjidhë me mirëkuptim të gjitha çështjet detare mes dy shteteve.Kjo nuk është hera e parë që Kina akuzohet se ka përdorur lazera në rajon. Në shkurt të vitit të kaluar, Australia akuzoi Pekinin se një anije kineze drejtoi lazerat nga një avioni australian.

Kategoritë
BotaLajme