Kina lejon fëmijën e tretë në familje

Reforma është edhe një tregues se Kina gradualisht heq dorë nga politika “një fëmijë” të cilën e solli në vitin 1980 me qëllim të ndalimit të rritjes së numrit të banorëve.

Legjislatura më e lartë e Kinës ka miratuar një reformë të ligjit që lejon prindërit të kenë deri në tre fëmijë.

Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Planifikimin e Familjes dhe Popullsisë.

Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se ligji duhet të ratifikohet nga presidenti kinez Xi Jinping që ligji të hyjë në fuqi.

Reforma u soll në bazë të një vendimi për mbështetjen e çifteve që duan të kenë fëmijën e tretë, i cili u miratua në fund të majit nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Byroja Politike, e kryesuar nga presidenti Jinping tha se reforma kishte për qëllim t’i përgjigjej plakjes së kombit dhe të përmirësonte burimet njerëzore të vendit.

Kjo reformë është një tjetër tregues se Kina gradualisht po braktis politikën e vendosur në vitin 1980 për të ndaluar rritjen e popullsisë dhe që lejoi familjet të kenë vetëm një fëmijë. Në vitin 2016, prindërit u lejuan të kishin fëmijën e dytë për shkak të problemit të plakjes me të cilën po përballet populli kinez.

Kategoritë
BotaLajme