Kina proteston ndaj rrëzimit të balonës nga ana e SHBA-së

“Kina shpreh pakënaqësinë dhe protestën e saj të fortë kundër përdorimit të forcës nga SHBA për të sulmuar avionët civilë pa pilot”, tha Ministria e Jashtme kineze.

Ministria e Jashtme e Kinës shprehu “pakënaqësi të fortë” ndaj SHBA-së për rrëzimin e balonës së saj mbi Oqeanin Atlantik të shtunën.

“Kina shpreh pakënaqësinë dhe protestën e saj të fortë kundër përdorimit të forcës nga SHBA për të sulmuar avionët civilë pa pilot. Pala kineze ka informuar në mënyrë të përsëritur palën amerikane pas verifikimit që mjeti ajror ishte për përdorim civil dhe ka hyrë në SHBA për shkak të forcës madhore – ishte plotësisht një aksident”, thuhet në një deklaratë.

“Kina do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive përkatëse, duke rezervuar të drejtën për të bërë reagime të mëtejshme të nevojshme”, theksohet më tej.

SHBA-ja rrëzoi balonën e dyshuar kineze të “spiunazhit” të shtunën, e cila ishte parë mbi hapësirën ajrore të SHBA-së në brigjet e shtetit të Karolinës së Jugut.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se vendimi u mor me udhëzimin e presidentit amerikan Joe Biden.

Kategoritë
BotaLajme