Kina rrit në 84 për qind tarifën e saj doganore ndaj SHBA-së

Në mes të tensioneve të përshkallëzuara tregtare me SHBA-në, Kina ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet amerikane në 84 për qind

Në mes të tensioneve të përshkallëzuara tregtare me SHBA-në, Kina ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet amerikane në 84 për qind, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria kineze e Financave thuhet se përveç tarifave ekzistuese, një taksë doganore shtesë prej 50 për qind do të vendoset për të gjitha produktet e importuara nga SHBA-ja.

Me tarifat e reja, tarifa minimale që Kina vendos për produktet e importuara nga SHBA-ja është rritur në 84 për qind.

Në deklaratë theksohet se tarifat shtesë do të hyjnë në fuqi që nga 10 prilli.

Duke iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimit të SHBA-së për tarifën shtesë prej 50 për qind, qeveria e Pekinit dha edhe një herë mesazhin se nuk do të tërhiqet përballë hapave të tarifave të Washingtonit dhe se ajo është gati të përgjigjet.

– Kina paraqet padi kundër SHBA-së në OBT

Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se ka ngritur padi kundër SHBA-së në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për shkak të rritjes së tarifave.

Në një deklaratë nga ministria thuhet se Kina krahas interesave të saj do të mbrojë edhe sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe rendin ekonomik ndërkombëtar.

Përveç rritjes së tarifave, qeveria kineze njoftoi se ka shtuar 12 kompani amerikane në listën e saj të kontrollit të eksportit dhe gjashtë kompani amerikane në listën e “aseteve jo të besueshme”.

– Rritja e “tarifave reciproke” të Trumpit dhe reagimi i Kinës

Presidenti amerikan Donald Trump më 2 prill njoftoi se do të vendoste tarifa shtesë prej 34 për qind ndaj Kinës si pjesë e “tarifave reciproke”.

Kina reagoi ndaj rritjes së tarifave të SHBA-së dhe njoftoi se në përgjigje të rritjes së tarifave prej 34 për qind do të vendoste tarifa shtesë me të njëjtën masë.

Presidenti Trump në përgjigje ndaj kësaj, deklaroi se nëse Kina nuk tërheq rritjen e tarifave shtesë prej 34 për qind të vendosur si kundërpërgjigje ndaj tarifave reciproke, ai do të vendoste tarifë shtesë prej 50 për qind dhe do të anulonte bisedimet e planifikuara me Kinën.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se tarifat shtesë ndaj Kinës do të hyjnë në fuqi sonte në mesnatë.

Me rritjen e re të tarifave, tarifa minimale që SHBA-ja ka zbatuar për produktet e importuara nga Kina do të rritet në 104 për qind.

Kategoritë
BotaLajme