Kinë – Rrëzohet një avion i “China Eastern Airlines” me 132 persona në bord

Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) njoftoi të hënën se një aeroplan i “China Eastern Airlines” me 132 persona në bord u rrëzua në malet jugore të Kinës.

Bazuar në të dhënat e CAAC-së, transmetuesi publik kinez “CGTN” raportoi se dyshohet për viktima mes 123 pasagjerëve dhe 9 anëtarëve të ekuipazhit.

Avioni “humbi kontaktin në ajër dhe u rrëzua në të Rajonin Autonom të Guangshi Zhuangut”, theksoi Administrata e Aviacionit Civil të Kinës duke sqaruar se aeroplani i përfshirë në aksident ishte një “Boeing 737”.

Zyrtarët kinezë bënë me dije se mbi dy duzina mjete zjarrfikëse dhe qindra zjarrfikës janë dërguar në vendngjarje dhe kanë arritur të shuajnë flakët që shpërthyen në një pyll, në qarkun Tengshian të Rajonit Autonom të Guangshi Zhuangut, pavarësisht se u përballen me pengesa për shkak të terrenit malor.

Aeroplani i aksidentuar kryente linjën Kunming-Guangzhu.

Në internet u përhapën imazhe që tregojnë shtëllunga tymi nga zona ku u rrëzua avioni, si dhe njerëz që gjejnë mbetje të aeroplanit të aksidentuar në rrugët pyjore teksa përpiqen të mbërrijnë në vendngjarje.

Televizioni “CGTN” njoftoi se ende nuk ka informacione të qarta për të vdekur apo të plagosur.

Presidenti kinez, Xi Jinping, urdhëroi mobilizimin e aktiviteteve të kërkim-shpëtimit menjëherë pas aksidentit.

Ndërsa CAAC-ja aktivizoi mekanizmin e emergjencës dhe dërgoi ekipe hetimore në vendin e aksidentit. Po ashtu zjarrfikës nga provincat fqinje të Junanit dhe Guandgongut u dërguan në zonë për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit.

Shkaku i rrëzimit të avionit është ende i paqartë.

Kina njihet si një vend i sigurt për sa i përket aviacionit, ku aksidentet ajrore janë të rralla.

Zhu Tao, zëdhënës i Administratës së Aviacionit Civil të Kinës, deklaroi më 19 shkurt se linjat ajrore kineze kishin kryer më shumë se 100 milionë orë fluturime të sigurta pa incidente.

Rrëzimi i fundit i një avioni pasagjerësh në Kinë ishte aksidenti i gushtit 2010, në qytetin Jiçun të provincës verilindore Heilongxhiang, me pasojë vdekjen e 42 personave.

Kategoritë
BotaLajme