Kinezët dhe japonezët “bëjnë paqe”/ 50 vjetori i marrëdhënieve, liderët flasin në telefon

Kinezët dhe japonezët kanë shenjuar 50 vjetorin e marrëdhënieve këtë javë. Dy liderët kanë folur në telefon për të ndërtuar ura paqeje në rajon, teksa tensionet nuk mungojnë mes dy gjigantëve aziatikë sa i përket zonave detare dhe aleancave rajonale.

Dy ekonomitë më të forta aziatike, Japonia dhe Kina, kanë qenë për një kohë të gjatë edhe kundërshtarë të ashpër me njëri – tjetrin.

Në pesëdhjetëvjetorin e normalizimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Japonisë, udhëheqësit e dy vendeve, Presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri japonez Fumio Kishida, zhvilluan një bisedë telefonike për të nënvijëzuar që marrëdhëniet dypalëshe të çoheshin në një drejtim pozitiv.

Lideri Xi i tha Kishidas se i kushtonte “rëndësi të madhe” zhvillimit të lidhjeve Kinë-Japoni dhe se ishte i gatshëm të zgjeronte marrëdhëniet.

“Japonia dhe Kina ndajnë një përgjegjësi të madhe për të arritur paqen dhe prosperitetin në rajon dhe në botë. Në funksion të 50 viteve të ardhshme … shpresoj të punoj me ju për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme Japoni-Kinë,” ishte përgjigjja e homologut japonez.

Nuk pati ndonjë festë zyrtare për të përkujtuar këtë 50-vjetor të marrëdhenieve mes dy vendeve, veç një mbledhjeje në një sallë në Tokio, ku morën pjesë disa politikanë dhe drejtues biznesi.

“Unë besoj se ajo që vendosëm 50 vjet më parë është se Japonia dhe Kina nuk luftojnë dhe se ne bashkëpunojmë për të ndërtuar marrëdhënie paqeje dhe stabiliteti,” tha ish-kryeministri japonez Yasuo Fukuda në një takim ku merrnin pjesë 850 drejtues biznesi dhe politikanët.

Vendi i dytë dhe i tretë në botë për nga ekonomia, kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar me njëri – tjetrin. Së fundmi, ato kanë tensione sa i përket ishujve rajonalë dhe militarizimit të tyre.

Japonezët kanë zgjedhur amerikanët si partner duke ndërtuar edhe një arkitekturë të re sigurie në rajon për të përmbajtur zgjerimin e influencës kineze.

Edhe lufta në Ukrainë i ka vënë në llogore të ndryshme dy vendet e rëndësishme aziatike.

Megjithatë, dy nga ekonomitë më të fuqishme në botë, janë partnerë kryesorë tregtarë. Kina është partneri më i madh tregtar i Japonisë dhe Japonia është partneri i dytë më i madh i Kinës, pas Shteteve të Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme