Kinezi refuzoi ofertën, tani i ndërtuan autostradë rreth shtëpisë dhe pendohet për vendimin: “Më duhet të kaloj përmes një tubi”

Kur autoritetet vendosën të ndërtonin një autostradë të re në zonën ku ndodhej shtëpia e tij, kinezit Huang Ping i ofruan më shumë se 200,000 euro si kompensim. Megjithatë, ai nuk pranoi të shpërngulet, dhe pas një periudhe të gjatë negociatash të pasuksesshme, filloi ndërtimi i rrugës – rreth shtëpisë së tij.

Sipas raportimit të The Independent, në qytetin kinez Jinxi ndodhet një anomali unike arkitekturore që është kthyer në një atraksion turistik. Meqenëse ndërtimi i autostradës ishte planifikuar në zonën ku ndodhej shtëpia e tij, autoritetet kineze i ofruan burrit të moshuar mbi 200,000 euro kompensim dhe tre prona alternative për zhvendosje.

Sipas autoriteteve lokale, Huang Ping, i cili jeton me nipin e tij 11-vjeçar, nuk ishte i kënaqur me asnjërën prej ofertave. Pas një periudhe të gjatë negociatash të pasuksesshme, ndërtimi filloi, pavarësisht komplikimeve. Punëtorët u detyruan të ndërtonin rrugën rreth shtëpisë së këtij kinezi.

Për të arritur te shtëpia e tij tani, Huang duhet të kalojë përmes një tubi të madh për të mbërritur te dera hyrëse. Ndërsa jeton në mes të një kantieri ndërtimi, ai tani pendohet për vendimin e tij. “Po të mund ta ktheja kohën pas, do t’i kisha pranuar kushtet që më ofruan. Tani duket sikur kam humbur një bast të madh,” tha Ping, sipas raportit të The Independent.

Përveç kësaj, ai është i shqetësuar për kushtet në të cilat do të jetojë kur autostrada të hapet për qarkullim këtë pranverë.

Raste të ngjashme nuk janë të rralla në Kinë. Pronarët e shtëpive të vjetra shpesh kundërshtojnë dhe refuzojnë ofertat për shpërngulje. Për shembull, në vitin 2017, në Shangai u shemb një shtëpi e njohur që për 14 vite “pengonte” trafikun. Banorët e saj refuzuan të gjitha ofertat, por në fund pranuan një kompensim prej rreth 350,000 eurosh.

Kategoritë
BotaLajme