Çifti Mauro dhe Wanda Icardi janë përsëri në qendër të vëmendjes së opinionit publik argjentinas, dhe arsyeja për këtë është sherri i tyre i ri që do të rezultojë me shkuarjen e futbollistit të njohur në gjykatë.
Mauro dhe Wanda Icardi prej vitesh mbushin faqet e shtypit të verdhë italian dhe argjentinas. Nuk dihet më as numri i sherrave dhe pajtimeve të tyre, dhe pas disa muajsh “qetësie,” përsëri ka dalë në publik “rroba e tyre e pistë.”
Në programin “Los Angeles de la Mañana” në kanalin America TV, gazetari Ángel Brito zbuloi se Wanda e ka paditur Mauron për dhunë.
“Ajo kishte ardhur në apartamentin e saj në Buenos Aires për të vizituar vajzat, dhe Mauro e sulmoi verbalisht. Ajo donte të dilte nga apartamenti, por ai nuk e lejonte. E pengoi fizikisht të dilte. Në fund, ajo arriti të marrë çelësin dhe të ikë. Kur më vonë u përpoq të kthehej, ai e sulmoi fizikisht dhe ajo paraqiti një padi për dhunë,” zbuloi Brito.
Sipas tij, Mauro do të paraqitet nesër në një seancë në gjykatën e Buenos Airesit, ku do të tregojë versionin e tij të ngjarjes.