Kjo është gjëja kryesore që duhet të bëni para se të ndizni ngrohjen: Mund t’ju kursejë para

Para se të ndizni ngrohjen, është e nevojshme të bëni një gjë thelbësore, e cila është pastrimi i brendësisë së radiatorëve.

Në fakt, brenda radiatorëve grumbullohen pluhur dhe papastërti, dhe kjo mund të bëjë që radiatorët të jenë më pak efikas.

Ndoshta ju duket se kjo është një detyrë e vështirë, por ka disa truke që mund t’jua lehtësojnë këtë proces, dhe përfundimisht mund t’ju ndihmojë të kurseni pak para, pasi radiatorët e pastër ngrohin më efektivisht ambientet.

Ekspertët paralajmërojnë se radiatorët e papastër harxhojnë më shumë energji për të ngrohur ambientin. Më poshtë do të mësoni se si t’i pastroni radiatorët dhe t’i përgatitni ata për sezonin e ri të ngrohjes.

Si të pastroni radiatorët?

Së pari, sigurohuni që ngrohja të jetë e fikur. Andrew Collinge, një ekspert për produktet e ngrohjes në kompaninë BestHeating, shpjegoi se radiatorët e ftohtë janë më të lehtë për t’u pastruar, sepse tërheqin më pak pluhur gjatë pastrimit.

Siç shkruan gazeta “The Sun”, një fshesë me korent mund t’ju ndihmojë të thithni pluhurin që është grumbulluar brenda radiatorit. Pastroni mirë radiatorin dhe zonën përreth tij, dhe nëse fshesa juaj ka pajisje më të vogla, përdorni ato për të pastruar mirë të gjitha grilat.

Më pas vendosni një leckë ose një peshqir të vjetër poshtë radiatorit që të kapë të gjitha papastërtitë që bien nga ai. Merrni një shkop ose një copë druri dhe mbështilleni me një leckë mikrofibër, të cilën mund ta lidhni me një shirit ngjitës. Pastaj kaloni midis të gjitha grilave të radiatorit, dhe gjatë këtij procesi mund të përdorni edhe një tharëse flokësh për të nxjerrë papastërtitë.

Pas kësaj, merrni një detergjent dhe një sfungjer të lagur dhe pastroni mirë radiatorin nga të gjitha anët. Pastaj thajeni radiatorin me një leckë mikrofibër ose një peshqir të vjetër për të siguruar që të mos shfaqet ndryshk nga pikat e ujit. Mos përdorni asgjë shumë gërryese që të mos shkaktoni dëme si gërvishtjet.

Pas pastrimit të radiatorit, kontrolloni për sokllatë dhe muret përreth për të parë nëse ka rënë ndonjë pluhur mbi to dhe fshijini ato. Me këtë, pastrimi është përfunduar dhe radiatorët tuaj janë gati për të ngrohur shtëpinë tuaj.

Kategoritë
Të ndryshmeTeknologji