Administrata e Trump-it po zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin për lirimin e pengjeve amerikane në Gaza dhe mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës.
Këto janë pretendimet e mediave Axios, të cilat kanë konfirmime nga dy burime dhe theksojnë se negociatat, të cilat po drejtohen nga i dërguari presidencial amerikan për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, janë të paprecedenta.
SHBA-ja nuk ka pasur kurrë më parë kontakt të drejtpërdrejtë me Hamasin, të cilin e ka shpallur organizatë terroriste që nga viti 1997.
Edhe pse administrata e Trump-it është konsultuar me Izraelin për mundësinë e angazhimit me Hamasin, Izraeli ka mësuar për disa aspekte të negociatave përmes kanaleve të tjera.
Bisedimet janë përqendruar pjesërisht në lirimin e pengjeve amerikane, që është nën përgjegjësinë e Boehler-it si i dërguar për çështjet e pengjeve.
Megjithatë, ato kanë përfshirë edhe diskutime mbi një marrëveshje më të gjerë për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur dhe arritjen e një armëpushimi afatgjatë, por deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, gjithashtu kishte planifikuar të udhëtonte në Doha këtë javë për t’u takuar me kryeministrin e Katarit dhe për të diskutuar mbi armëpushimin, por ai e anuloi udhëtimin të martën në mbrëmje pasi pa që nuk kishte përparim nga ana e Hamasit.
Portali thekson se qasja e Trump-it ndryshon ndjeshëm nga ajo e ish-presidentit amerikan Joe Biden.
Negociatat e drejtpërdrejta me Hamasin, veçanërisht pa dijeninë e Izraelit, janë një hap që administratat e mëparshme nuk e kanë ndërmarrë.