Klean Shuqja, kampionia shqiptare 18-vjeçare e shahut

“Kam filluar të merrem me shahun që në moshën 4-vjeçare. Më prezantoi babai me botën e shahut, pastaj me kalimin e kohës ai pa që kisha ambicie dhe talent dhe vendosi të më çojë te një trajner që të bëja stërvitje më profesionale”, tregon ajo.

Klean Shuqja është një studente kampione e shahut në Shqipëri për femra, por ajo mban edhe tituj të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Shuqja 18-vjeçarja është studente e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif.

Me botën e shahut ajo është prezantuar nga babai i saj, i cili dikur ka luajtur shah dhe me mbështetjen e tij ajo vazhdoi këtë rrugëtim, duke u shpallur kampione.

Shuqja për Anadolu rrëfen pasionin e saj për shahun, emocionet e çmimeve, mbështetjen e familjes dhe universitetit ku ajo studion, si dhe projektet dhe planet e saj për të ardhmen.

“Kam filluar të merrem me shahun që në moshën 4-vjeçare. Më prezantoi babai me botën e shahut, pastaj me kalimin e kohës ai pa që kisha ambicie dhe talent dhe vendosi të më çojë te një trajner që të bëja stërvitje më profesionale”, tregon ajo.

Me kalimin e kohës Shuqja tregon se filloi duke marrë pjesë në kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime të ndryshme.

“Në fillim më kanë tërhequr gurët, pastaj me kalimin e kohës më tërhiqte shumë strategjia, taktikat që përdoreshin në lojë”, thekson ajo, duke treguar se loja e shahut ka emocione të shumta.

Shuqja thekson se kuptoi që nëpërmjet shahut mund të udhëtojë nëpër botë, mund të marrë pjesë në shumë kampionate dhe mund të njohë njerëz të rinj.

“Emocionet janë të ndryshme. Çdo ndeshje ka një emocion të ri, sidomos në momentet kur synoj të marr një trofe, është e bukur nga njëra anë dhe sfiduese nga ana tjetër”, shprehet Shuqja.

– Për studimet ka zgjedhur Universitetin e New Yorkut në Tiranë

Për studimet universitare, Shuqja ka zgjedhur Universitetin e New Yorkut në Tiranë (UNYT), ndërkohë aktualisht është studente e vitit të parë në degën informatikë biznesi.

“Fillimisht ma kishin sugjeruar (UNYT-në), pastaj mora vesh që edhe programi bëhej në anglisht. Mora pjesë tek provimi i bursës dhe mora 100 për qind bursë”, tregon ajo, duke theksuar edhe mbështetjen që i jep universiteti.

Rektori i UNYT-së Prof. Dr. Ali Güneş, i dhuroi një laptop të ri kampiones së shahut të Shqipërisë, Klean Shuqja, në shenjë vlerësimi për arritjet e saj të jashtëzakonshme.

“UNYT qëndron pranë të rinjve të talentuar, duke i mbështetur në sukseset e tyre akademike dhe personale”, theksuan për Anadolu nga universiteti.

Shuqja ka themeluar Klubin e Shahut në UNYT, ku mund të marrin pjesë jo vetëm studentët e këtij universiteti, por të gjithë ata që kanë dëshirë të njihen me shahun dhe të zgjerojnë njohuritë.

Ajo tregon se ka synime të shumta në të ardhmen në botën e shahut, përfshirë edhe synimin për marrjen e çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Klean Shuqja është kampione e Shqipërisë në shah për femra, si dhe mban titullin ndërkombëtar WFM (Women Fide Master). Që në moshë të vogël, ajo ka marrë pjesë në dhjetëra turne kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shpallur kampione dhe duke fituar edhe çmime të tjera.

Në vitin 2017, ajo është shpallur kampione e botës në shahun ‘blitz’ për grupmoshën U11, kampione e Evropës në shahun ‘blitz’ për grupmoshën U14 po ashtu në vitin 2017, si dhe kampione e Evropës në shahun ‘blitz’ për grupmoshën U16 në vitin 2022.

Shuqja në vitin 2024 është kampione Kombëtare e Femrave në Shah, si dhe është shpallur kampione në Shqipëri gjatë viteve të kaluara për grupmosha të ndryshme.

Kategoritë
LajmeRajoni