Klinaku kërkon që LDK t’i reagojë Speciales: Nuk duhet të lejojë që dikush ta barazojë me kolaboracionistët

Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i reagojë publikisht Gjykatës Speciale në lidhje me vrasjet e anëtarëve të saj që po përmenden në Hagë.

Po ta kishte vrarë UÇK-ja dikë “vetëm pse ka qenë në LDK”, Klinaku thotë se “Kosova do të shndërrohej në një kasaphanë”.

“Do të kishte qenë mirë për LDK-në, për UÇK-në e për krejt Kosovën që LDK-ja t’i reagonte publikisht Gjykatës Speciale për akuzën se dikush dikë e paska vra vetëm pse ka qenë në LDK! Po të ishte kjo e vërtetë, Kosova do të shndërrohej në një kasaphanë!”, ka shkrua Klinaku në Facebook.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen, ndër tjerash, për vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

“Paramendojeni faktin se për kohën që flet akuza shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës kanë qenë në LDK! Pastaj, jo pak anëtarë të LDK-së kanë qenë njëkohësisht edhe pjesëtarë të UÇK-së! Si mund të anashkalohen këto fakte?!”, shkroi Klinaku.

“LDK-ja, edhe për hir të anëtarësisë së vet, nuk guxon ta lejojë stigmatizimin e LDK-së deri në atë masë sa dikush atë ta barazojë me kolaboracionistët”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeVendi