“Koha para ekranit dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve”

Studimi është kryer me 577.000 fëmijëve të moshës 11 deri në 15-vjeç, nga 42 vende me të ardhura të larta.

Një studim i ri global zbuloi se koha e kaluar para ekranit dhe mungesa e aktivitetit fizik dëmtojnë shëndetin mendor të adoleshentëve.

Studimi, i publikuar në revistën akademike “The Lancet”, u krye me 577.000 fëmijëve të moshës 11 deri në 15-vjeç, nga 42 vende me të ardhura të larta.

U konstatua se efektet e dëmshme në shëndetin mendor te vajzat fillojnë pas dy orësh përdorimi të ekranit, kurse tek djemtë pas katër orësh. Më tej theksohet se vajzat kalojnë kohë para ekranit në mënyrë më pasive dhe në krahasim me djemtë janë përdoruese më të mëdha të rrjeteve sociale.

Përdorimi i ekranit përfshinte televizor, video-lojëra dhe media sociale, por jo kohë të kaluar para ekranit për qëllime akademike.

Një nga autorët e studimit, Asad Khan nga Fakulteti i Shkencave të Shëndetit dhe Rehabilitimit në Universitetin e Queensland, tha se gjatë hulumtimit, tek fëmijët shqyrtuan kënaqësinë e jetës dhe shëndetin e tyre psikosomatik.

“Ajo që kemi gjetur është se shëndeti mendor është një problem i madh. Ne gjithashtu kemi filluar të shohim dëshmi që vijnë nga literatura shkencore se përdorimi i tepërt i ekraneve për rekreacion gjithashtu shkakton disa probleme në arritjet akademike, vëmendjen dhe probleme të tjera psikosociale si sindromi i çrregullimit të vëmendjes”, theksoi Khan.

Ai shtoi se hulumtimet kanë treguar se koha e kaluar para ekranit lidhet me depresionin dhe aksiozitetin në këtë grupmoshë.

Khan tha se studimi gjithashtu zbuloi se aktiviteti fizik ka një ndikim pozitiv në shëndetin mendor. Ai tha se një orë aktivitet fizik dhe jo më shumë se dy orë qëndrim para ekranit në ditë sigurojnë “mirëqenie optimale mendore”.

“Ne duhet të rikalibrojmë sjelljen e fëmijëve tanë drejt një stili jetese më të shëndetshëm, që do të thotë se, kur të mundemi, duhet të zëvendësojmë kohën e kaluar para ekranit me disa aktivitete në natyrë. Ne u bëjmë thirrje prindërve të zvogëlojnë kohën e kaluar para ekranit dhe të shtojnë aktivitetet fizike, ashtu që fëmijëve tanë t’u sigurojmë një jetë më të mirë”, tha autori i studimit, sipas portalit ABC News.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi