Megjithëse pritej shumë nga hapja e qendrës së migrantëve në Shqipëri, e cila do të ishte nën kontrollin e Italisë, duket se zbatimi i këtij projekti është përballur me shumë pengesa.
Kur Italia hapi qendrat e migrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: në to do të strehoheshin 3,000 migrantë që do të prisnin të merrnin azil në Itali.
Dy muaj më vonë, gazetarë shqiptarë që u prezantuan si turistë biseduan me policët italianë që sigurojnë kampet dhe nga përvoja e tyre konkluduan se kampet e migrantëve për momentin po krijojnë shumë më tepër probleme.
“Jemi këtu për punë, ne jemi sigurimi i qendrës së migrantëve […] por migrantë nuk ka në objektet e kampit, ata janë transferuar në Itali. Jemi vetëm ne këtu. Paguhemi për t’u sjellë si turistë: mëngjes, darkë dhe sauna, gjithçka falas – e paguan qeveria italiane,” thanë ata.
Objektet që duhej të ishin kampe për migrantët janë aktualisht bosh.
“Vetëm 24 kërkues azili janë dërguar në Shqipëri që nga hapja e qendrave dhe asnjëri prej tyre nuk ka qëndruar aty. Pesë prej tyre kaluan më pak se 12 orë në qendrën e paraburgimit, ndërsa të tjerët qëndruan diçka më shumë se 48 orë,” shkruan The Guardian.
Policët italianë që u regjistruan fshehurazi nga një televizion shqiptar janë ndër dhjetëra të tjerë që kanë mbetur në Shqipëri.
“Në nëntor, rreth 50 prej tyre, së bashku me dhjetëra punonjës socialë, u kthyen në shtëpi kur mësuan se objektet ishin bosh,” thuhet në raport.
Problemi më i madh në këtë situatë është se kjo ide u iniciua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Besueshmëria e kryeministres është vënë në pikëpyetje, pasi qeveria e saj e ka bërë çështjen e imigracionit temë qendrore të fushatës dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike në menaxhimin e krizës së migrantëve.
Kritikat ndaj kryeministres janë veçanërisht të shumta nga radhët e opozitës.
“Pse duhet të hedhim kështu paratë e italianëve? Pse të lëmë policinë me pushime në Shqipëri kur na nevojitet personel në qytetet tona? Marrëveshja për migrantët në Shqipëri është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë. Ka kushtuar një miliard euro dhe shërben si strehë për qentë,” tha lideri i partisë opozitare Italia Viva, Matteo Renzi.