Kolonët izraelitë djegin automjete palestineze në Bregun Perëndimor

Ndërkohë, forcat izraelite arrestuan 13 palestinezë në bastisjet gjatë natës në Bregun Perëndimor

Kolonët izraelitë sulmuan pronat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan autoritetet lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Ghassan Douglas, një zyrtar i ngarkuar për monitorimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor verior, tha se kolonët kryen sulme në qytezat Urif dhe Burin, në jug të Nablusit.

Kolonët dogjën tre automjete në Burin dhe një automjet tjetër dhe sulmuan një shtëpi me gurë në Urif, tha ai për AA.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, kolonët izraelitë kanë kryer 755 sulme në Bregun Perëndimor këtë vit.

Ka më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

Ndërkohë, forcat izraelite arrestuan 13 palestinezë në bastisjet gjatë natës në Bregun Perëndimor, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Wafa.

Arrestimet u kryen në qytetet El-Halil, Kuds, Ramallah, Nablus, Tulkarem dhe Jenin.

Kategoritë
BotaLajme