Forcat Hapësinore do të luajnë një “rol qendror” në përpjekjet e Pentagonit për të zhvilluar një mburojë kundërraketore kombëtare, ose Kupolën e Hekurt për Amerikën, sipas zyrtarëve të lartë të kësaj force.
Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv në fund të janarit, duke i kërkuar Departamentit të Mbrojtjes të zhvillojë një “Kupolë të Hekurt për Amerikën”, si një version më të avancuar të Kupolës së Hekurt izraelite, e projektuar për t’i bërë ballë të gjitha llojeve të raketave, përfshirë raketat hipersonike.
Komandanti i Forcave të Operacioneve Hapësinore, gjenerali Chance Saltzman, tha se duke qenë se urdhri ekzekutiv vendos theksin te sistemet hapësinore, është e natyrshme që Forcat Hapësinore të luajnë një rol kyç në zhvillimin e saj. Ai shtoi se është krijuar një ekip i integruar për planifikimin, i cili do të shqyrtojë opsionet në përgjigje të këtij urdhri.
“Besoj se duhet të luajmë një rol qendror. Po punojmë për krijimin e këtij ekipi teknik të integruar për planifikim që të fillojmë ta shqyrtojmë nga një perspektivë gjithëpërfshirëse,” tha Saltzman.
Ekipi po vlerëson cilat sisteme që Forcat Hapësinore tashmë i kanë në zhvillim mund të mbështesin urdhrin e presidentit dhe cilat aftësi duhet të ndërtohen. Më pas, ata po shqyrtojnë çështjet e fizibilitetit teknik dhe po përgatisin vlerësime të kostove bazuar në programet aktuale, si dhe projeksionet për atë që kërkon një arkitekturë më e avancuar.
Gjenerali Saltzman theksoi se qëllimi i Forcave Hapësinore është të ofrojnë një vlerësim të ndershëm mbi gjendjen aktuale të teknologjisë dhe çfarë është realisht e mundur të realizohet, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen e raketave ndërprerëse në hapësirë.
“Një nga gjërat më të këqija që mund të bëni është të hyni në një sfidë teknike që nuk mund ta zgjidhni brenda një kostoje të arsyeshme dhe në një afat kohor të pranueshëm,” përfundoi Saltzman.