Komandanti i KFOR-it: Kemi shtuar trupat dhe patrullimet në veri, përmbahuni nga demonstrimi i forcës

Nëpërmjet një deklarata, komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Angele Michele Ristuccia, ka deklaruar se është duke e monituar nga afër situatën në veriun e Kosovës. Po ashtu, është bërë e ditur se nga tetori i këtij viti është përforcuar prania si dhe këtë javë janë shtuar trupat dhe patrullimet.

Në deklaratën e tij thuhet se KFOR ka kapacitete të mjaftueshme për të garantuar ambient të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes kudo në Kosovë.

“KFOR po monitoron nga afër situatën në Kosovën veriore. KFOR ka kapacitete të plota, përfshirë personelin, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovës, nën mandatin e tij duke u mbështetur te Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 1999. Nga tetori, ne kemi përforcuar prezencën tonë, përfshirë shtimin e trupave dhe patrullimeve në Kosovën veriore këtë javë”, thuhet në këtë deklaratë, raporton Gazeta Express.

Rsituccia ka kërkuar nga të gjithë faktorët që përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës.

“Presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës, për të siguruar qetësi dhe siguri për të gjitha komunitetet. KFOR do të vazhdojë ta përmbushë mandatin që ka nën Rezolutën 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të gjinden nëpërmjet dialogut”, thuhet në fund.

KFOR-i është ende duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë për t’i kthyer në Kosovë deri në 1,000 trupa ushtarake. Vetë presidenti Aleksandar Vuçiq, kA shprehur dyshime që përgjigja nga KFOR do të jetë pozitive.

Kategoritë
LajmeVendi