KOMF me instalacion të klasëve me banka dhe karrige të zbrazura para qeverisë

Një klasë me banka dhe karrige të zbrazura është instilacioni simbolik “Fëmijët në Shkolla”, i cili është prezantuar sot nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë– KOMF në sheshin e Prishtinës. E mbrapa çdo karrige u vendosen mesazhet për dëmet që po i shkaktohen 320 mijë fëmijëve për shkak të grevave që shkolla.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se bankat e zbarëta janë për të simbolizuar dhe shprehur pakënaqësitë e tyre për mos zhvillimin e procesit mësimor.

Përmes këtij instilacioni i cili e kemi këtu mbrapa, një klasë e zbrazët me banka dhe karrige të zbrazëta për të simbolizuar dhe për të shprehur reagimin, pakënaqësitë dhe revoltën tonë për situatën e krijuar me procesin mësimor në Kosovë.. Janë tri javë që rreth 320 mijë fëmijë janë jashtë bankave shkollore, nuk e kanë të drejtën e tyre elementare për arsim të cilët e kanë të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prej tyre janë 25 mijë fëmijë të cilët presin që të ulen për herë të parë në bankat shkollore. Situata e krijuar është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e pa pranueshme sepse interesi më i mirë i fëmijës do të duhej të ishte konsiderata kryesore për të gjitha palët e përfshira në këtë proces”, tha ajo.

Kelmendi ka folur edhe për pasojat e vazhdimësisë së grevës, duke thënë se dëmet kryesorë fillojnë nga mësimnxënia deri te dëmtimi i shëndetin mendor te fëmijët.

Dëmet janë shumë të mëdha të cilat shkaktohen te fëmijët me ndërprerjen e procesit mësimor, përmes mesazheve të cilat mund t’i merrni edhe në karriget mbrapa, jemi munduar që të tregojmë se cilat janë dëmet kryesore të cilat janë paraqitur te nxënësit, duke filluar nga mësimnxënia, pastaj te dëmtimi i shëndetit mendor të fëmijëve, mundësisë së shkaktimit të problemeve në familje, rritjen e dhunës në familje, rritjen e stresit tek nxënësit dhe prindërit, rritjen e mundësisë së përfshirjes më të madhe të fëmijëve në punë të rënda dhe në situatë rruge janë shumë e shumë dëme të cilat shkaktohen tek nxënësit”, tha ajo.

Anëtarja e kësaj organizate, Remzije Krasniqi tha se dëmet që janë shkaktuar janë të pariparueshme. Ajo bëri thirrje që palët të cilat janë të përfshira në këto bisedime ta kenë interesin më të madh te fëmijët.

“Sigurisht mungesat e mëdha të orëve të mësimit është shumë vështirë të kompensohen, aq më shumë për gjeneratat e reja që fillojnë për herë të parë e kësaj rradhe. Kemi edhe moshën shumë më të ndjeshme prej lindjes deri në pesë vjeç, që ndikimi në zhvillimin e tyre të përgjithshëm është i dëmshëm dhe sigurisht kjo pasojë e mungesës së kontaktit me fëmijët e tjerë me mësimdhënës, edukatorë, asistentë të tyre, sigurisht do të ndikojë ndjeshëm. Pjesa e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që në forma të ndryshme i është cenuar edhe më herët e drejta në pjesëmarrje në arsim, mungesa e tillë i ka kushtuar edhe më shumë deri më tani, mund ta paramendojmë një fëmijë më aftësi të kufizuar që tashmë 17 ditë nuk ka qenë në mësim dhe regresi që mund të shkaktohet te nxënësit e tyre është i pariparueshëm”, tha ajo

Ylber Tufa, një pensionist që kishte dal në shenjë revolte për situatën në të cilën fëmijët gjenden, për KosovaPress ka shprehur shqetësimin se si do të kompensohem mësimi për të gjithë fëmijët dhe dy mbesat e tij.

“Dola në protestë për shkak të mos hapjes së shkollave, grevës së sindikalistëve. Unë i kam dy mbesa të cilat kanë pritur të fillojnë mësimin, ne pothuajse kemi humbur një muaj mësim kur do t’i mbërrijmë nxënësit atë një muajshin me sistem të shpejtuar të ligjëratave, me orar të cunguar  apo me orare të shtuar, ky vit faktikisht ka me qenë i dështuar. Është puna e sindikalistëve, puna e SBAShK-ut, mirëpo nëse nuk vazhdohen nuk kompensohen orët fëmijët do të humbin më së shumti dhe kjo po reflektohet edhe në provimet e PISA-ve që fatkeqësisht jemi në fund… Fajtori sa për neve është SBAShK-u sepse SBAShK-u ka qenë dashur që këto punë me i shtjelluar më herët, nuk është mirë që dikush të lëshoj pe dhe dikush të mos lëshoj. Qeveria lëshoj pe ku ka paguar të gjithë mësimdhënësit nga 50 euro dhe ka ligjin që do të aprovohet së shpejti, me atë ligj parashihet se rrogat e mësimdhënësve do të jenë më të mëdha sesa këtë 100-euroshin që po kërkojnë këta”, tha ai.

Tufa ndihet i emocionuar kur i sheh mbesat duke marrë fletoret kinse po mësojmë dhe kërkon që të ndalet greva sepse nxënësve po i mungon shkolla. Kurse mbesat e tij Aisa dhe Dua për KosovaPress, u shprehen të mërzitura që shkolla nuk ka filluar. Ato kanë pasur të fillojnë vitin e parë shkollor ku fatkeqësisht as mësuesen nuk e kanë parë, derisa shprehin dëshirën që sa më shpejtë të kthehen në bankat shkollore.

Kategoritë
LajmeVendi