Komisioni Evropian dënoi të mërkurën publikimin e dokumenteve të shtetasve kroatë në mediat në Serbi, duke theksuar se kjo është e papranueshme dhe se duhet të hetohet nga organet përkatëse shtetërore.
“Çdo qasje e paligjshme në të dhënat personale të qytetarëve, përfshirë gazetarët, dhe publikimi i këtyre të dhënave është i papranueshëm dhe kjo duhet të ndiqet nga organet përkatëse shtetërore. BE-ja do ta ndjekë me kujdes këtë çështje,” deklaruan nga Zyra e Komisionit për Marrëdhënie me Publikun.
Krimineli i dënuar për krime lufte, Vojislav Šešelj, publikoi në një emision televiziv të tabloidit serb Informer kartën e identitetit të gazetarit kroat të portalit Telegram, Matej Devčić, duke treguar edhe hotelin ku ai ishte akomoduar. Në të njëjtin emision u publikuan dokumentet e shtetaseve kroate Dorotea Strelec dhe Elena Pavić, si dhe të Leo Mršić, së bashku me dokumentet e disa shtetasve të huaj nga SHBA, Britania e Madhe dhe Greqia.
Tabloidët serbë, që në fund të vitit të kaluar, i shpallën spiunë një grup prej njëzet studentësh nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Informatikës në Zagreb (FER), të cilët kishin shkuar në Beograd për të vizituar kolegët e tyre. Ata publikuan fotografitë e tyre në media dhe i përshëndetën me mesazhe nga shërbimet e inteligjencës në kufi.
“Presim që Serbia të garantojë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes pa pengesa. Është thelbësore që gazetarët të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në një mjedis pa kërcënime dhune, ngacmimi dhe frikësimi, në mënyrë që qytetarëve t’u sigurohet qasje në të gjitha informacionet,” thuhet në përgjigjen me shkrim të Komisionit ndaj një pyetjeje të gazetarëve.
Shtohet se liria e medias është themeli i një shoqërie demokratike dhe një e drejtë bazë në BE, dhe për këtë arsye është “një element kyç i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian,” raporton Hina.