Komisioni Evropian: Kurti dhe Vuçiq do t’i diskutojnë “të gjitha çështjet e hapura” në Bruksel

BE-ja do të “përqendrohet për të çuar përpara dialogun për të mirën e popullit të Serbisë dhe Kosovës”, tha zëdhënësja e Komisionit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pritet t’i diskutojnë “të gjitha çështjet e hapura” në marrëdhëniet dypalëshe gjatë takimit të tyre në Bruksel këtë javë, tha Komisioni Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjitha çështjet e hapura do të diskutohen dhe duhet të diskutohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja” midis Beogradit dhe Prishtinës, u tha gazetarëve Nabila Massrali, zëdhënësja e Komisionit Evropian për punët e jashtme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, do të presë të enjten kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pas tensioneve të fundit mes dy vendeve.

BE-ja do të “përqendrohet për të çuar përpara dialogun për të mirën e popullit të Serbisë dhe Kosovës”, vuri në dukje Massrali.

Ajo theksoi gjithashtu se BE-ja e sheh të rëndësishme “që të dyja palët duhet t’i japin fund armiqësive të tyre në këtë moment” dhe “të veprojnë me përgjegjësi”.

Kurti dhe Vuçiq të mërkurën do të takohen veçmas me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Më 31 korrik, pjesëtarë të komunitetit serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejtë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokada e tyre u vendos para fillimit të aplikimit të masave reciproke nga ana e Qeverisë së Kosovës me kërkesën për dokumente shtesë për të gjithë shtetasit serb në hyrje e daljet në Kosovë, si dhe legalizimin e të gjitha targave që ende nuk janë “RKS”.

Pas tensioneve për shkak të barrikadave dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës mori përsipër ta shtyjë zbatimin e këtyre dy masave pas 30 ditëve.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi