Komisioni për Punë të Jashtme i Kosovës pret në takim grupin e Maqedonisë së Veriut për miqësi me Kosovën

Kryeziu-Hyseni i falënderoi përfaqësuesit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për përkrahjen e treguar ndaj Kosovës gjatë procesit të shtet-ndërtimit

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur në takim përfaqësues të grupit parlamentar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, të prirë nga Afrim Gashi, raporton Anadolu.

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, ky takim, i cili u zhvillua në një frymë vëllazërore, u kryesua nga Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e komisionit, e cila vuri në pah nevojën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeziu-Hyseni po ashtu i falënderoi përfaqësuesit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për përkrahjen e treguar ndaj Kosovës gjatë procesit të shtet-ndërtimit, si dhe shprehu mirënjohje edhe për përkrahjen e treguar gjatë fazës së integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

Tutje, Kryeziu-Hyseni theksoi synimin e Kosovës për të qenë anëtare e Këshillit të KE-së, si dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO. Lidhur me këtë, ajo kërkoi mbështetjen e shtetit mik të Kosovës, përkatësisht, Maqedonisë së Veriut.

Gashi, nga ana e tij, vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë atë ndërmjet grupeve të miqësisë ndërparlamentare. Ai u shpreh i bindur se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, sidomos në fushën e diplomacisë parlamentare.

Gjatë ditës, grupi parlamentar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës është mirëpritur edhe nga grupi parlamentar i Kosovës për miqësi me Maqedoninë e Veriut dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kategoritë
LajmeVendi