Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve u takua me përfaqësues të organizatave të ndryshme të fëmijëve

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, i cili udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me një grup fëmijësh që përfaqësojnë fëmijët e Kosovës brenda organizatave të ndryshme.

Ky takim ka shërbyer edhe për lansimin e Raportit për Zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, raportit “Zëri Ynë” të hartuar nga fëmijët, për të bashkëbiseduar me fëmijët e pranishëm, si dhe për të diskutuar çështjet më me rëndësi drejt jetësimit të të drejtave të fëmijëve.

Në këtë takim, ku ka marrë pjesë edhe ministrja Arbërije Nagavci, është biseduar për punën që po bëhet në avancimin e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të drejtën e tyre për çasje në arsim dhe në shërbime shëndetësore.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka folur për punën dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë të ketë çasje në arsim cilësor, si një e drejtë e garantuar.
Ministrja është ndalur te rëndësia e zhvillimit në fëmijërinë e hershme, pasi që tha se mbështetja për fëmijët në vitet e para të jetës ndikon në zhvillimin e shëndetshëm të tyre.

Në këtë drejtim, ministrja Nagavci theksoi se është i domosdoshëm zgjerimi i infrastrukturës dhe po punohet në ndërtimin e çerdheve të reja, por edhe në renovimin dhe funksionalizimin e objekteve shkollore për këtë qëllim.
Duke folur për përmirësimin e insfrastrukturës ligjore, ministrja Nagavci, përmendi Ligjin e ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, si një hap të rëndësishëm, ndërsa ndër të tjera theksoi edhe nevojën për të ngritur kapacitetet e personelit që punojnë me fëmijët në mënyrë që të ngritet cilësia e ofrimit të çdo shërbimi

Ministrja Nagavci po ashtu tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi i të gjithë akterëve përfshirë prindërit, edukatorët, mësimdhënësit, institucionet edukativo-arsimore dhe institucionet qendrore e lokale, nivelin qendror e lokal, në mënyrë që fëmijët të marrin edukim cilësor që në fëmijëri të hershme.

Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe bashkërenduar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.

Kategoritë
LajmeVendi