Komiteti Olimpik i Kosovës bën thirrje për masa disiplinore ndaj tenistit serb Gjokoviq

Komiteti Olimpik i Kosovës akuzon Gjokoviqin për nxitje të tensioneve politike, pasi tenisti serb shkroi “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i bëri thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) që të marrë masa disiplinore ndaj tenistit serb Novak Gjokoviq, transmeton Anadolu.

Kjo erdhi pasi Gjokoviq shkroi në një mesazh për Kosovën në një objektiv kamere pas fitores së tij në raundin e parë në French Open. “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”, ka shkruar ai në gjuhën serbe.

Duke e akuzuar Gjokoviqin për nxitje të tensioneve politike, Ismet Krasniqi, kreu i KOK-ut, tha: “Si kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, kam për obligim që t’i ngre shqetësimet e mia dhe të kërkoj nga ju që të reagoni në emër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pasi këto mesazhe dhe veprime janë të rrezikshme për të ardhmen e sportit nëse nuk ndëshkohen”.

Krasniqi theksoi parimin themelor nr. 5 të Kartës Olimpike, ku thuhet se të gjitha organizatat sportive nën Komitetin Olimpik duhet të jenë politikisht neutrale.

Gjokoviq gjatë Roland Garros-it iu referua përplasjeve të dhunshme që së fundmi ndodhën në Kosovë.

Tenisti serb më pas për mediat tha se kjo ishte më e pakta që mund të kishte bërë. “Ndjej përgjegjësinë si figurë publike, nuk ka rëndësi në cilën fushë, të jap mbështetje”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi