“Nuk ka më vend për humbje kohe në industrinë e mbrojtjes”, ka thënë Stefano Pontecorvo, kryetari i kompanisë italiane.
Firma italiane e mbrojtjes dhe e hapësirës ajrore “Leonardo” do të bëjë përpjekje që bashkëpunimi me prodhuesin turk të dronëve “Baykar” të vazhdojë me shpejtësi, ka thënë të hënën kryetari i kompanisë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ANSA, transmeton Anadolu.
Në përgjigje të një pyetjeje nëse procesi do të ecë shpejt, kryetari i Leonardo-s, Stefano Pontecorvo, ka thënë se Roberto Cingolani, shefi ekzekutiv i kompanisë, po lëviz me shpejtësi për këtë çështje.
“Ai është pothuajse si një makinë e Formula 1-shit. Pra, po, procesi do të ecë shpejt. Nuk ka më vend për humbje kohe në industrinë e mbrojtjes. Epoka e të folurit ka përfunduar”, ka thënë ai.
Pontecorvo vizitoi gjithashtu fabrikën e prodhimit të Baykar-it në Istanbul javën e kaluar.
“Baykar është një kompani e drejtuar nga njerëz jashtëzakonisht seriozë. Nëse nuk do të ishte një kompani e shkëlqyer, nuk do të bëhej lider në këtë sektor për 12 vjet”, ka thënë ai.
“Leonardo nuk ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ‘Piaggio Aerospace’ (të cilën Baykar e ka blerë), por pasi synojmë të jemi partnerë me turqit dhe nëse negociatat shkojnë mirë, sigurisht që do ta kemi synim të afërt një kompani kaq prestigjioze italiane”, shtoi ai.
Pontecorvo i ka thënë gjithashtu gazetës “Il Secolo XIX” me bazë në Genova: “Së shpejti do të kemi një lajm shumë të mirë për bashkëpunimin e mundshëm me Piaggio-n, e cila u ble nga turqit. Baykar është lider botëror dhe ne jemi në bisedime që të përpiqemi të bashkëpunojmë. Nëse është i suksesshëm, kthimi në atë rajon do të jetë spektakolar”.
“Baykar Technologies”, prodhuesi i dronëve “Bayraktar TB2”, “Akinci” dhe “Kizilelma”, bleu gjigantin italian të hapësirës ajrore Piaggio në dhjetor, ndërsa Ministria e “Made in Italy” bëri deklarata në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm të Leonardo-s me Baykar-in.